Kredi
E Premte, 16 Shtator 2011 12:42
Përse duhet të më interesojë efiçenca e energjisë?
çmimet e energjisë po rriten, sidomos energjia elektrike, dhe pritet të rriten edhe më tepër. Në Shqipëri, zgjedhja e energjisë për shtëpinë tuaj është e kufizuar dhe standarti i izolimit të ndërtesave është i cilësisë së ulët. Në terma të thjeshtë kjo do të thotë që ju duhet të ngrohni apo të ftohni shtëpinë tuaj më tepër dhe kështu do të keni kosto më të larta. Por nuk është e thënë të jetë kështu!
Pra, cilët faktorë ndikojnë në sasinë e energjisë që përdorni?
Energjia humbet nëpërmjet mureve, çatisë dhe dritareve të shtëpisë suaj. Energjia humbet gjithashtu nëpërmjet sistemeve ngrohës apo ftohësve jo efektivë. Zgjidhja e këtyre dy problemeve mund të rrisë efiçencën tuaj në përdorimin e energjisë dhe gjithashtu mund ta bëjë shtëpinë tuaj më të rehatshme për të jetuar.
Si matet gjithë kjo?
Materialet për efiçencën e energjisë maten me të ashtuquajturat vlera U. Vlera U mat sasinë e nxehtësisë që del nga një material, si, për shembull, një mur, një dritare apo një çati. Sa më e ulët vlera U, aq më mirë. Instalimi i izolimit dhe ndërmarrja e hapave të tjerë ulin vlerën U. Materialet e përdorura për të izoluar pronën tuaj që tani kanë një vlerë U, që ju lejon të njihni nivelin e izolimit të materialit që planifikoni të instaloni.
Ok, por çfarë është një KWh?
Një ngrohës, i klasifikuar në 1000 vat, që është 1 kilovat, duke punuar për një orë, përdor një kilovat orë energji. Atëherë, për shembull, CEZ/OSSH do t'ju tarifojnë për KWH e konsumuar.
Nëse shtëpia juaj është e keq-izoluar ose nëse keni një sistem ngrohës apo bulier të vjetër e joefektiv, atëherë ju do të përdorni më shumë KWh, dhe si rrjedhojë do të paguani më tepër.
Si mund ta rregulloj këtë?
Le të nisim me muret. Në përgjithësi, pronat në Shqipëri nuk kanë izolim për muret. çfarë do të thotë kjo.... në terma të thjeshtë vendosen tullat dhe suvatohen muret. Për më tepër, ndërtuesit shqiptarë kanë zakonin e vendosjes së tullave në mënyrën e gabuar, duke reduktuar trashësinë dhe cilësinë e izolimit të mureve në shtëpitë tuaja.
Muret e izoluar siç duhet, konsistojnë në një mur të brendshëm ose të jashtëm, që përmban ose Lesh Mineral ose Polistiren (këto kanë gjithashtu cilësi për izolimin e zërit). Këto materiale ndihmojnë për të mbajtur nxehtësinë brenda dhe mbajnë nxehtësinë jashtë gjatë verës. Vetëm një ndërtues në Shqipëri ndërton në këtë cilësi - shiko artikullin mbi Prekjen e Diellit (Touch of Sun). Përndryshe do t'ju duhet ta instaloni vetë.
A mund t'ia shtoj këtë izolim mureve të mia të brendshme?
Po, mundeni. Ju do të humbisni deri në 10 cm të hapësirës së dyshemesë, por ia vlen ta bëni dhe do ta ndjeni menjëherë ndryshimin.
Dritaret
Ne humbasim deri në 20% të energjisë nëpërmjet dritareve. Kjo mund të përmirësohet nëpërmjet përdorimit të atyre që ne i quajmë dritare me xham të dyfishtë, që gjithashtu përfitojnë nga kornizat termike të dritareve.
çfarë është kjo?
Xhami i dyfishtë konsiston në dy pjesë xhami të vendosura së bashku. Ndërmjet këtyre pjesëve të xhamit do të ketë një sipërfaqe të vogël, që normalisht do të krijojë një boshllëk dhe redukton humbjen e nxehtësisë nëpërmjet dritares. Nëse nuk mund ta përballoni dot financiarisht që të zëvendësoni të gjitha dritaret, atëherë është e mundur të instaloni një dritare dytësore. Edhe kjo do të reduktojë humbjen e nxehtësisë, por sigurisht që nuk është aq efektive sa xhami i dyfishtë.
Bulierët elektrikë
Bulierët elektrikë janë një mënyrë efikase e ruajtjes së energjisë për ngrohjen e ujit.... në Shqipëri 85% e ujit të ngrohtë ngrohet nëpërmjet bulierëve elektrikë. Bulierët më të vjetër, janë sigurisht më pak efikasë.
çfarë të kemi parasysh kur të blejmë apo të zëvendësojmë një bulier?
1. Përmasat e bulierit - për dy njerëz keni nevojë vetëm për një kapacitet prej 80 litrash.
2. Izolimin e tubave që dalin nga bulieri (në përgjithësi këta nuk do të jenë të izoluar).
3. Uji nuk duhet të ngrohet më shumë se 50 gradë Celsius.
4. Bulieri duhet të izolohet gjithashtu, domethënë duhet të mbulohet me një material izolues.
5. Gjithmonë fikeni bulierin kur ikni dhe ndizeni sërish (merr pak kohë të ngrohet).
6. Sa efikas është faktori energjetik i bulierit?
Sa efikas është bulieri?
Efikasiteti i bulierit matet nga sasia e energjisë që konsumon për të prodhuar ujë. Me përmirësimin e teknologjisë së përdorur për të prodhuar bulierë, përmirësohet edhe sasia e energjisë që ata përdorin.
Sistemet diellore
Sistemet diellore, për shkak të klimës me diell të Shqipërisë, kanë një potencial të madh... dhe janë veçanërisht të mirë për të ngrohur ujin. 160 litra ujë mund të ngrohen me një Panel Diellor prej 2.6m2. Panelet duhet të instalohen nga një kompani profesioniste dhe është e rëndësishme që rezervuari i ujit të jetë i përmasave të përshtatshme për përdorim nga ju.
Sistemet e ngrohjes
Sistemet më të mira të ngrohjes konvertojnë karburantin në nxehtësi në një nivel efikas. Kjo shpesh shprehet si një përqindje dhe mund të arrijë një nivel efikasiteti prej 95%.
Zëvendësimi i sistemeve të vjetra të ngrohjes me sisteme të reja është thelbësor dhe në terma afatgjatë do t'ju kursejë para në kostot e energjisë dhe riparimit, etj.
Sistemet e ngrohjes janë të përbërë nga tre elementë:
- Bulieri.
- Pompa që transportojnë ujin ose avuj të ngrohtë.
- Sistemet e transmisionit për ngrohjen - radiatorët dhe gjëra të këtij lloji.
Sistemet e ngrohjes mund të furnizohen me... dru, naftë, LPG apo elektricitet.
Çfarë të bëni kur zgjidhni:
- Përmasat e duhura të njësisë së transmisionit (përmasat optimale për përmasat e dhomës shkaktojnë transmision më të mirë).
- Tubat e shpërndarjes duhet të izolohen, në mënyrë që nxehtësia të mos humbasë.
- Temperatura duhet të rregullohet në një mesatare prej 25 gradësh brenda shtëpisë.






















